16

1 Erdhi (është afruar) caktimi i All-llahut (kijameti), pra mos kërkoni ngutjen (ardhjen para kohës) e tij! E pastër dhe e lartë është madhëria e Tij në krahasim me atë që ata i shoqërojnë (shokë).
2 Me urdhrin e Tij ia zbret engjëjt me shpallje atij që Ai dëshiron nga robtë e vet (duke thënë) t´ua tërhiqni vërejtjen (t´i njoftoni) se nuk ka të adhuruar (zot) tjetër vetëm Unë, pra të më keni frikën.
3 I krijoi qiejt e tokën me urtësi precize. I lartë është Ai nga çka ata (idhujtarët) i shoqërojnë.
4 E krijoi njeriun nga një pikë (uji), kur qe, ai (njeriu) kundërshtar i hapët.
5 Edhe kafshët Ai i krijoi dhe në saje të këtyre ju mund të mbroheni (nga të ftohtit), keni edhe dobi të tjera dhe prej tyre hani.
6 Në to (në kafshët) ju shihni hijeshi (idili) kur në mbrëmje ato i ktheni (nga kullosa) dhe kur në mëngjes i lëshoni (për në kullosë).
7 Ato bartin barrën tuaj (të rëndë) në ndonjë vend (të largët) që ju do të arrinit atje me shumë vështirësi (me gjysmë shpirti). Vërtet, Zoti juaj është shumë Bamirës dhe shumë Mëshirues.
8 Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat edhe gomarët, për t´ju hipur atyre dhe si stoli, e Ai krijon (për hipje) çka ju (tash) nuk dini.
9 Udhëzimi për në rrugë të drejtë i takon All-llahut e ka edhe rrugë që është e shtrembër. Po sikur të kishte dëshiruar Ai, do t´u kishte udhëzuar që të gjithëve.
10 Ai është që për ju lëshoi nga (lart) qielli ujë, që prej tij të keni për të pirë dhe prej tij të keni bimë që në to do t´i kullotni (bagëtinë).
11 Me atë (shiun) mbijnë, për të mirën tuaj, të lashtat, ullinjtë, hurmat, rrushnajat dhe nga të gjitha frutat (e pemëve). Në këto (të mira) ka argumente për një popull që vështron.
12 Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.
13 Edhe për atë që ju krijoi në tokë lloje të ndryshme (bagëti, bimë, pemë, minerale etj.), ka fakte për një popull që di të merrë përvojë.
14 Pastaj, Ai është që nënshtroi detin, që prej tij të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i mbani (i vishni), e i sheh anijet si çajnë (lundrojnë) në të (me ushtimë e çajnë ujin në det). Ua nënshtroi që të shfrytëzoni nga begatitë e Tij dhe
15 Dhe Ai vuri kodra (të forta) në tokë, ashtu që ajo të mos lëkundet me ju, (bëri) edhe lumenj e rrugë që të mund të orientoheni.
16 Vuri edhe shenja të tjera (për orientim ditën), ndërsa (natën) ata orientohen me anën e yjeve.
17 Atëherë pra, a është Ai që krijon njësoj, sikurse ai që nuk krijon? A nuk po mendoni?
18 Po edhe nëse përpiqeni t´i numëroni dhuntitë (të mirat) e All-llahut, nuk do të mund të arrini t´i përcaktoni ato. Me siguri All-llahu shumë fal dhe shumë mëshiron.
19 All-llahu e di atë që ju e fshihni dhe atë që e publikoni.
20 Ata (idhujt) që i adhurojnë (idhujtarët) pos All-llahut, ata nuk krijojnë asnjë send, po vetë ata janë të krijuar.
21 Janë të vdekur e jo të gjallë, dhe ata nuk e dinë se kur do të ringjallen (adhuruesit e tyre).
22 Zoti juaj (që meriton adhurim) është një Zot, e ata që nuk e besojnë botën tjetër, zemrat e tyre janë mohuese (të njësisë së Zotit) dhe ata janë kryelartë.
23 Është e vërtetë se All-llahu e di atë që e fshehin dhe atë që e shfaqin haptazi dhe se Ai nuk i do arrogantët.
24 Kur atyre u thuhet (mohuesve): "Ç´është ajo që shpalli Zoti juaj?", ata thonë: "Mite të popujve të hershëm!"
25 (E thonë atë shpifje) Sa për t´i bartur në ditën e gjykimit mëkatet e veta të plota dhe një pjesë të mëkateve të atyre që, pa farë arsye i mashtruan dhe i humbën. Sa e keqe është ajo me çka ngarkohen.
26 Edhe ata që ishin para tyre vënë intriga. Po All-llahu rrënoi në themel ndërtimet e tyre (intrigat) dhe kulmi u shemb mbi ta, dhe ashtu u erdhi dënimi kah nuk e kujtuan.
27 Mandej, në ditën e gjykimit Ai i turpëron ata dhe thotë: "Ku janë ata që m´i bënit shokë Mua dhe për hir të tyre grindeshit?" E ata që ishin të zotët e dijes, do të thonë: "Vërtet, sot turpësia dhe e keqja i përfshiu jobesimtarët".
28 Të cilët, duke qenë mizorë të së vetvetes së tyre, engjëjt ua marrin shpirtin, e ata shprehin dorëzimin (në momentin e vdekjes, duke thënë): "Ne nuk ishim që bëmë ndonjë të keqe!" (u jipet përgjigjja). Po All-llahu e di shumë mirë atë që e punuat ju.
29 Andaj, hyni në dyert e xhehennemit, aty do të jeni përjetë: sa vend i keq është ai i kryelartëve!"
30 Atyre që patën frikë nga (dënimi) All-llahu, u thuhet: "Ç´është ajo që shpalli Zoti juaj?" Ata thoshin: "Shpalli çdo të mirë!" Ata që bënë vepra të mira, edhe në këtë jetë kanë shpërblim të mirë, por shpërblimi i tyre në botën tjetër është shumë më i mirë
31 Është Xhenneti i Adn-it, ku do të hyjnë, nën të rrjedhin lumenj, aty kanë çka të dëshirojnë, ashtu i shpërblen All-llahu të ruajturit.
32 Të cilëve duke qenë të pastër, engjëjt ua marrin shpirtin, duke u thënë: "Selamun alejkum" - gjetët shpëtimin, hyni në xhennet, për hir të asaj që vepruat.
33 A mos presin ata (idhujtarët) diçka tjetër përveç t´u vijnë engjëjt (e t´ua marrin shpirtin) ose t´u vijë urdhri (dënimi) i Zotit tënd. Ashtu punonin ata që ishin para tyre, pra All-llahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ata ishin që vetvetes i bënë padre
34 Andaj, ata i goditi dënimi i të këqijave që i bënë dhe i kaploi (i përfshiu ajo e keqe) ajo me të cilën ata talleshin.
35 Ata që i bënin shok Zotit (idhujtarët) thanë: "Sikur të kishte dashur All-llahu, as ne, e as prindërit tanë nuk do të adhuronim asnjë send pos Tij, dhe nuk do të ndalonim (nuk do ta konsideronim të ndaluar) asnjë send pos (ndalesave të) Tij. Kështu (këso
36 Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t´u thonë: "Adhuroni vetëm All-llahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!" Por, pati nga ata që All-llahu e udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte f
37 Nëse ti (Muhammed) përpiqesh për t´i vënë në rrugë të drejtë ata, (dije se) All-llahu nuk e udhëzon atë që e ka humbur, dhe për ata nuk ka ndihmëtar.
38 Ata u betuan në All-llahun, me betimin e tyre të fortë se "All-llahu nuk e ringjall atë që vdes!" Po, (i ringjall) ai është premtim i Tij i prerë, por shumica e njerëzve nuk dinë.
39 I ringjall për t´ua sqaruar atyre atë për çka përçaheshin dhe, për t´ua bërë me dije atyre që nuk besuan se me të vërtetë ishin gënjeshtarë.
40 Ne kur dëshirojmë një send vetëm i themi atij: "Bëhu!", ai menjëherë bëhet.
41 Ata që migruan për hir të All-llahut, e pasi që u torturuan, atyre gjithsesi do t´u mundësojmë vendbanim të mirë edhe në këtë botë, po shpërblimi i botës tjetër është edhe më i madh, sikur njerëzit ta dinin (për atë shpërblim).
42 Janë ata që bënë durim edhe vetëm Zotit të tyre iu mbështetën.
43 Ne as para teje nuk dërguam tjetër, përveç burra, të cilëve u dhamë shpallje. Ju (idhujtarë) pyetni pra dijetarët (e Tevratit e të Inxhilit) nëse ju nuk dini.
44 (I patëm dërguar) Me argumente e me libra të shenjtë. Ty ta zbritëm Kur´anin që t´u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur´anin).
45 A mos janë të sigurt ata që përgatitën kurthe, se All-llahu nuk do t´i trandë ata me tokën, ose nuk do t´u vijë atyre dënimi kah nuk e mendojnë?
46 Ose t´i rrëmbejë ata duke qenë në udhëtimet e tyre (për jetë e tregti), e ata nuk mund t´i shpëtojnë asaj.
47 Ose do t´i kapë ata duke qenë në panikë nga frika. Po, s´ka dyshim se Zoti juaj është i butë, i mëshirshëm (andaj nuk ua ngut dënimin).
48 A nuk po shohin ata (keqbërësit) se çdo send që e krijoi All-llahu, e sjell hijen e vet djathtas dhe majtas duke iu përulur All-llahut (duke i bërë sexhde) dhe duke qenë respektues e përulës (e si e mbajnë veten lart disa njerëz).
49 Vetëm All-llahut i bën sexhde çdo gjallesë që është në qiej e që është në tokë, e edhe engjëjt, ata nuk bëjnë kryelartësi.
50 I frikësohen Zotit të tyre që është mbi ta dhe i përmbahen në përpikëri asaj me çka urdhërohen.
51 E, All-llahu tha: "Mos adhuroni dy të adhuruar, sepse Ai është vetëm një Zot, pra vetëm Mua më keni dronë".
52 Vetëm e Tij është çka ka në qiej e në tokë, dhe vetëm Atij i takon vazhdimisht adhurimi. A mos i keni frikë dikujt tjetër pos All-llahut?
53 Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngreni zërin (me lutje).
54 Pastaj, kur Ai e largon prej jush dënimin, qe, një grup prej jush i përshkruajnë shok Zotit të tyre.
55 (I bëjnë shok) Dhe ashtu ata përbuzin atë që Ne ua dhamë atyre, pra shfrytëzoni (për një kohë) se më vonë do të kuptoni (rrjedhimin).
56 E nga ajo që Ne i furnizuam, ata u ndajnë një pjesë atyre (zotave) që nuk kuptojnë asgjë. Pasha All-llahun, patjetër do të merreni në pëgjegjësi për atë që trillonit.
57 Ata i përshkruajnë All-llahut vajza. I pastër është Ai nga ajo!, ndërsa vetes së tyre (i përshkruajnë) çka ua ka ënda (djemtë).
58 Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet me (lindjen) vajzë, fytyra e tij prishet dhe bëhet pot mllef.
59 Fshihet prej njerëzve, për shkak të asaj të keqeje me të cilën u lajmërua (e konsideron bela, e jo dhuratë prej Zotit). Mandej, (mendon) a do ta mbajë atë, ashtu i përulur, apo do ta mbulojë atë (të gjallë) në dhe. Sa i keq është ai gjykim i tyre.
60 Shembulli i keq u takon atyre që nuk besojnë botën tjetër, ndërsa All-llahut i takon shembulli më i lartë. Ai është fuqiploti, i urti.
61 Sikur All-llahu t´i dënonte njerëzit (zullumqarë) për shkak të mizorisë së tyre, nuk do të linte mbi të (tokë) asnjë gjallesë, por Ai i lë ata për më vonë deri në afatin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, për asnjë moment nuk mund ta vonojnë as ta ngu
62 E ato (vajzat) që i urrejnë për vete, ia mveshin All-llahut, gjuhët e tyre shpifin rrenën se atyre do t´u takojë më e mira (xhenneti), s´ka dyshim, i tyre është zjarri, dhe se ata janë të parët në të.
63 Pasha All-llahun, Ne dërguam edhe para teje të dërguar ndër popuj, po veprat e tyre (të këqija) ua hijeshoi djalli, se ai është mik i tyre, e ata kanë një dënim të idhët.
64 Ne nuk ta shpallëm ty për tjetër Kur´anin, vetëm që t´u sqarosh atyre atë për çka u përçanë, e (ta zbritëm) që të jetë udhëzim e mëshirë për njerëzit që besojnë.
65 All-llahu lëshoi prej qiellit ujë (shi) dhe me të ngjalli tokën pas vdekjes së saj. Në këtë është një argument i fortë për ata që me vëmendje dëgjojnë (e kuptojnë).
66 Ju edhe në kafshët keni mësim (përvojë). Ne nga një pjesë e asaj që e kanë në barqet e tyre mes ushqimit të tyre dhe gjakut, ju japim të pini qumësht të pastër, të shijshëm (të lehtë) për ata që e pinë.
67 Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit nxirrni prej tyre pije (lëngje) dhe ushqim të mirë. S´ka dyshim se edhe në këtë ka fakte (mbi fuqinë e Zotit) për njerëzit që kanë menduar.
68 Zoti yt i dha instinkt bletës: "Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drunj (pemë) dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë.
69 Pastaj ha nga të gjitha (llojet) frutat dhe futu nëpër rrugët e nënshtruara (e të mësuara) prej Zotit tënd. Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Edhe në këtë ka arsye
70 All-llahu ju krijoi, pastaj Ai ua merr shpirtin. E ka prej jush që shtyhet deri në jetën më të vjetër, ashtu që të mos dijë asgjë nga çka ka ditur. All-llahu është më i dijshmi, më i fuqishmi.
71 All-llahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim. Atyre që u është dhënë përparësia (në furnizim), nuk janë furnizues të atyre që posedojnë (robërve), ata (të gjithë) në të janë të barabartë (furnizues kryesor është All-llahu), a mos duan
72 All-llahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja - fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e All-llahut i mohojnë?
73 Dhe pos All-llahut adhurojnë çka nuk janë në gjendje t´u sjellin asnjë furnizim as nga qiejt as nga toka dhe as që kanë mundësi?
74 Pra, mos i përshkruani All-llahut shembuj! All-llahu i di të gjitha e ju nuk dini.
75 All-llahu sjell shembuj: një rob që është pronë e tjetrit e që nuk ka në dorë asgjë, dhe atë, të cilin ne e kemi furnizuar me një furnizim të mirë, ai jep nga ai (furnizim) fshehtas e haptas. A janë pra ata të dy të barabartë? Falënderuar qoftë All-llahu,
76 All-llahu sjell shembull: dy njerëz, njëri prej atyre dyve është memec që nuk ka aftësi për asgjë (as për vete as për të tjerët) dhe vetë ai është barrë për kujdestarin e tij, pse kudo që ta orientojë, ai nuk sjell ndonjë dobi. A është ai i barabartë me a
77 Vetëm All-llahut i takon (ta dijë) fshehtësia e qiejve dhe e tokës! Çështja e katastrofës (e kijametit) është (në shpejtësi) vetëm sa hedh një shikim, ose ajo është edhe më afër. All-llahu është i gjithfuqishëm për çdo send.
78 All-llahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.
79 A nuk i shohin ata shpendët fluturues në ajrin e qiellit, të cilët nuk i mban kush, përveç All-llahut. Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë.
80 All-llahu i bëri shtëpitë tuaja vendbanim të qetë dhe nga lëkurat e kafshëve ju mundësoi të keni shtëpi që lehtë i bartni kur udhëtoni, e edhe kur vendoseni, ndërsa nga leshi dhe nga qimet e tyre, nga leshi i egër i tyre, petka e shtroja dhe t´i shfrytëzo
81 All-llahu, nga ajo që krijoi Ai, ju bëri edhe hije, e në kodra vendstrehime, edhe petka që ju mbrojnë prej të nxehtit dhe petka që ju mbrojnë në luftë. Ashtu All-llahu plotëson të mirat e Tij ndaj jush, në mënyrë që të dorëzoheni (besoni).
82 Po nëse ata prapësohen (prej besimit), atëherë obligimi yt është komunikimi i qartë.
83 Ata i njohin të mirat e All-llahut, pastaj i injorojnë, e shumica e tyre janë jobesimtarë.
84 E ditën kur prej secilit popull sjellim dëshmitarin, atyre që nuk besuan nuk u jepet leje për arsyetim, e as që kërkohet prej tyre (të arsyetohen).
85 Dhe kur do ta shohin dënimin ata që ishin zullumqarë, atëherë as nuk do t´u lehtësohet, as nuk do t´u jepet afat.
86 Ata që ishin idhujtarë kur do t´i shohin idhujt e vet (zotat), thonë: "O Zoti ynë, këta janë idhujt tanë, të cilët ne i patëm adhuruar pos Teje!" Ata (idhujt) ua kthejnë fjalën: "Ju jeni rrenacakë!"
87 Dhe ata (idhujtarët) i dorëzohen All-llahut, e ajo çka ata e trillonin u asgjësohet.
88 Atyre që nuk besuan dhe penguan nga rruga e All-llahut, u shtojmë dënim mbi dënim për shkak se bënin shkatërrime.
89 Dhe (përkujtoju njerëzve) atë ditë, kur në secilin popull do të sjellim dëshmitar kundër tyre, e ty të sjellim dëshmitarë kundër atyre. Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.
90 All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.
91 Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj All-llahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se All-llahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, All-llahu e di se çka punoni.
92 Mos u bëni (në çështjet e betimit) si ajo (grua) që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort, e t´i bëni betimet tuaja dredhi (mashtrim) mes jush, për shkak se një popull është më i madh se tjetri. All-llahu vetëm ju sprovon me këtë, e në ditën e g
93 Sikur të dëshironte All-llahu do t´ju bënte një popull (në një fe), por (sipas dijes së Vet) Ai e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon tjetrin që do, e patjetër do të përgjigjeni për atë që vepruat.
94 Mos i përdorni betimet tuaja për dredhi mes jush, e të rrëshqitni pas forcimit, e ta shijoni të keqen (e dredhisë) për shkak se penguat (të tjerët) nga rruga e All-llahut, e ju do të keni dënim të madh.
95 Mos e shitni besën e dhënë All-llahut për një vlerë të paktë, pse atë që do ta keni te All-llahu është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.
96 Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është te All-llahu është e përjetshme. E Ne do t´ua japim atyre që ishin të durueshëm shpërblimin më të mirë të asaj që vepruan.
97 Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t´i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t´u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.
98 Kur të lexosh Kur´anin, kërko mbrojtjen e All-llahut prej djallit të mallkuar.
99 Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.
100 Mbizotërimi i tij është vetëm mbi ata që e përkrahin atë dhe mbi ata që për shkak të tij u bënë idhujtarë.
101 Kur një ajet e zëvendësojmë me një tjetër - e All-llahu di më së miri se çka shpall - ata thonë: "Ti (Muhammed) je vetëm trillues". Jo, por shumica e tyre nuk dinë.
102 Thuaj: "Atë (Kur´anin) e solli "Ruhul Kudus" - shpirti i shenjtë - plot vërtetësi nga Zoti yt, për t´i përforcuar edhe më ata që besuan, dhe për të qenë udhërrëfyes e myzhde për muslimanët.
103 Ne dimë shumë mirë se ata thonë: "Atë (Muhammedin) është kah e mëson një njeri!" Mirëpo, gjuha e atij nga i cili anojnë (supozojnë) ata është joarabe (e paqartë), e kjo (e Kur´anit) është gjuhë arabe e stilit të lartë e të qartë.
104 S´ka dyshim se ata që nuk i besojnë ajetet (e Kur´anit) e All-llahut, ata nuk i drejton All-llahu në rrugën e drejtë dhe ata kanë një dënim të dhembshëm.
105 Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata që nuk i besojnë argumentet e All-llahut; të tillët janë ata gënjeshtarët.
106 Ai që pas besimit të tij e mohon All-llahun, me përjashtin të atij që dhunohet (për të mohuar), e zemra e tij është e bindur plotësisht me besim, por fjala është për atë që ia hap gjoksin mosbesimit, ata i ka kapur hidhërimi nga All-llahu dhe ata kanë një
107 Këtë (dënim të madh) ngase ata më tepër e deshtën jetën e kësaj bote se sa jetën e botës tjetër, e All-llahu nuk udhëzon njerëzit jobesimtarë.
108 Të tillët janë ata që All-llahu ua mbylli zemrat, dëgjimin dhe pamjen e tyre dhe të tillët janë ata naivët.
109 Është e vërtetë se ata në botën tjetër, mu ata janë të dështuarit.
110 Pastaj Zoti yt, atyre që pasi u torturuan, migruan, mandej luftuan dhe qëndruan, dhe pas të gjitha këtyre vuajtjeve, s´ka dyshim se Zoti yt atyre do t´ua falë dhe do t´i mëshirojë (Ai është që fal, është mëshirues).
111 (Përkujto) Ditën që vjen kur secili njeri do të përpiqet për vetveten dhe secilit njeri do t´i plotësohet ajo që e meriton, e nuk u bëhet padrejt.
112 All-llahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e All-llahut. Atëherë All-llahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petku
113 Atyre u pat ardhur i dërguari nga mesi i tyre, e ata e përgënjeshtruan atë, andaj i kapi dënimi se ishin zullumqarë.
114 E ju (besimtarë), hani pra nga të mirat që ua dha All-llahu, të lejuara e të pastra, jini mirënjohës për dhuntitë e All-llahut, nëse jeni të sinqertë në adhurim vetëm ndaj Tij.
115 Ai ua ndaloi juve vetëm cofëtinën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret jo në emër të All-llahut. E kush detyrohet (t´i hajë) duke mos qenë dhunues dhe duke mos e tepruar (në ngrënie), All-llahu fal dhe është mëshirues.
116 Mos i thuani asaj rrenës së gjuhve tuaja: "Kjo është hallall e kjo është haram" e të shpifni ndaj All-llahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj All-llahut, nuk kanë shpëtim.
117 Kanë një përjetim të vogël (në këtë jetë), e do të kenë dënim të padurueshëm.
118 E atyre që ishin jehudi (çifutë) u patëm ndaluar atë që të kemi treguar më parë, po Ne nuk u bëmë padrejt atyre, por ata vetes i patën bërë padrejt.
119 Pastaj Zoti yt për ata që nga mosdija bënë punë të këqija, e pastaj u penduan dhe bënë mirë, s´ka dyshim se Zoti yt është që shumë fal dhe shumë mëshiron.
120 Vërtet, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i All-llahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.
121 Falënderues për të mirat e Tij. Ai (All-llahu) e zgjodhi atë (për pejgamber) dhe e udhëzoi në rrugën e drejtë.
122 Atë Ne e pajisëm me të mira në këtë botë, e në botën tjetër ai është me më të mirët.
123 Pastaj, ty të shpallëm: "Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit, se ai nuk ka qenë nga idhujtarët (as jehudi as i krishter).
124 E shtunja (festimi ose belaja e saj) u është përcaktuar vetëm atyre që u kundërshtuan rreth saj. E Zoti yt do të gjykojë mes tyre në ditën e gjykimit për atë që ata kundërshtoheshin.
125 Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuar
126 Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë.
127 Pra, të jesh i durueshëm! Durimi yt është vetëm me ndihmën e All-llahut. Ti mos u pikëllo për ata, as mos u brengos për dredhitë që bëjnë ata!
128 S´ka dyshim se All-llahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës.