20

1 Ta, Ha.
2 Ne nuk ta shpallëm Kur´anin për të munduar ty.
3 Ta shpallëm vetëm këshillë (përkujtim) për atë që frikësohet.
4 (kjo është) Shpallje nga Ai që krijoi tokën dhe qiejt e lartë.
5 (E Ai është) Mëshiruesi që krijoi tokën dhe qiejt e lartë.
6 E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej dhe në tokë dhe çdo gjë që gjendet midis tyre, edhe ç´ka nën dhe.
7 Andaj, nëse bën shprehjen (lutjen haptazi), Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo.
8 Ai është All-llahu, nuk ka zot pos Tij, Atij i takojnë emrat më të bukur.
9 A të ka ardhur ndonjë njohuri për ndodhinë e Musait?
10 Kur ai e pa një zjarr, e i tha familjes së vet: "Rrini ku jeni, se vërejta një zjarr, e unë ndoshta do t´ju sjellë ndonjë gacë prej tij, ose do të gjejë te zjarri ndonjë udhërrëfyes".
11 E kur shkoi te ai (zjarri), u thirr: "O Musa!"
12 Vërtet Unë jam Zoti yt, hiq atë që ke mbathur (opingat e nallet), se je në luginën e shenjtë Tuva.
13 Unë të zgjodha ty (për pejgamber), prandaj dëgjo mirë se ç´po të shpallet!
14 Vërtet, vetëm Unë jam All-llahu, nuk ka zot tjetër pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fal namazin për të më kujtuar Mua.
15 S´ka dyshim se momenti (kijameti) do të vijë patjetër, Unë gati e kam fshehë atë; (do të vijë) për t´u shpërblyer secili njeri për atë që ka bërë.
16 Prandaj, të mos shmangë ty nga kjo ai që nuk i beson atij dhe që është dhënë pas dëshirave, se atëherë shkatërrohesh.
17 O Musa, ç´është ajo që e ke në të djathtën tënde?
18 Ai (Musai) tha: "Ai është shkopi im që të mbahem në të, dhe me të u shkund (gjethe nga drunjtë) dhenve të mia, dhe me të kryej edhe nevoja të tjera.
19 Ai (All-llahu) i tha: "Hidhe atë, O Musa!"
20 Ai e hodhi atë, kur ja, ai një gjarpër i madh që lëvizte me shpejtësi.
21 (All-llahu i) Tha: "Kape atë, e mos u frikëso, se Ne do ta kthejmë atë përsëri në gjendjen e mëparshme!"
22 Dhe, fute dorën tënde sqetullën tënde e do ta nxjerrësh atë të bardhë pa asnjë të metë. Kjo është një mrekulli tjetër.
23 (këtë e bëmë) Në mënyrë që të mundësojmë të shohësh disa nga argumentet Tona të mëdha.
24 "Shko te faraoni se ai ka ngritur kokë (është bërë arrogant)".
25 Ai (Musai) tha: "Ma zgjero (më ndihmo) gjoksin tim!
26 Dhe më lehtëso në këtë punë timen!
27 Ma zgjidh nyjen e gjuhës sime!
28 Që ta kuptojnë fjalën time!
29 Më cakto një ndihmëtar nga familja ime,
30 Harunin, vëllain tim,
31 Që me të të ma forcosh fuqinë time,
32 Bëma shok atë në punën time,
33 Në mënyrë që të madhërojmë Ty më shumë,
34 Dhe të përkujtojmë Ty shpesh.
35 Vërtet, Ti je Ai që na sheh dhe na i di punët".
36 Ai (All-llahu) tha: "O Musa, t´u dha ajo që kërkove!"
37 Ne edhe një herë ta dhuruam ty mirësinë Tonë.
38 Atëherë kur nënën tënde e frymëzuam me atë që nuk kuptohet ndryshe pos me inspirim (me frymëzim - shpallje).
39 (Ne i thamë) "Vëre atë (fëmijë, Musain) në arkë, e mandej hidhe në lumë e lumi e hedhë në breg, atë e merr armiku Im dhe i tij. E nga ana Ime mbolla (në zemra të njerëzve) dashuri ndaj teje, e që të edukoheshe nën mbikëqyrjen Time".
40 Kur motra jote ecte (të përcillte) e thoshte: "A doni t´ju tregoj atë që do të kujdeset për të?" E Ne të kthyem te nëna jote, që të gëzohej ajo e të mos mbetej e pikëlluar. Ti e pate mbytur një njeri, e Ne të shpëtuam nga mërzia dhe të sprovuan me sprova
41 Dhe Unë të zgjodha ty për shpalljen Time.
42 Shko me argumentet e Mia, ti dhe vëllai yt, e mos e hiqni prej kujdesit të përmendurit ndaj Meje.
43 Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar.
44 Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.
45 Ata të dy thanë: "Zoti ynë, ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t´i kalojë kufijtë kundër nesh".
46 Ai (All-llahu) tha: "Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç´do t´ju thotë) dhe shoh (ç´do të bëjë me ju)".
47 I shkoni e i thuani atij: "Ne jemi që të dy të dërguar të Zotit tënd, lëshoi beni israilët të vijnë me ne, e mos i mundo! Ne të kemi ardhur me argumente nga Zoti yt, e shpëtimi është për atë që ndjek rrugën e drejtë.
48 Ne na është thënë se dënimi është për atë që gënjen (të dërguarit) dhe ia kthen shpinën besimit".
49 Ai (faraoni) tha: "E kush është Zoti i juve dyve, o Musa?"
50 (Musai) Tha: "Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë?"
51 Ai tha: "Si është gjendja e popujve të mëparshëm?"
52 (Musai) Tha: "Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron".
53 (Zoti im) I cili për ju e bëri tokën si djep, për të mirën tuaj hapi rrugë nëpër të, lëshoi shiun prej së larti, e kjo mundësoi që të mbijnë bimë të llojeve të ndryshme.
54 Hani ju dhe kullotni kafshët tuaja (nga ato bimë). Vërtet, për të gjitha këto (që u përmendën) ka argumente për ata që kanë mendje të shëndoshë.
55 Prej asaj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t´ju kthejmë përsëri në të, e prej saj do t´ju nxjerrim edhe një herë.
56 Ne ia bëmë të mundshme atij t´i shohë të gjitha argumentet Tona, por ai i gënjeu ato dhe i refuzoi.
57 (Atëherë faraoni) Tha: "O Musa, a mos na ke ardhur që me magjinë tënde të na nxjerrësh prej tokës sonë (prej Egjiptit)?
58 Edhe ne do të kundërvihemi me një aso magjie, pra cakto një kohë dhe një vend që do të na përshtatet, e që nuk do ta thyenim as ne as ti".
59 (Musai) Tha: "Koha e caktuar le të jetë dita e festës në mënyrë që njerëzit të tubohen paradite".
60 Faraoni u kthye dhe tuboi magjistarët e vet dhe doli në kohën (dhe vendin) e caktuar.
61 Atëherë Musai u tha atyre (magjistarëve): "Mjerimi është juaji, prandaj mos shpifni ndaj All-llahut ndonjë gënjeshtër e t´ju shkatërrojë me ndonjë dënim, se pa dyshim ai që shpif ka dështuar keq".
62 Ata (magjistarët) polemizuan për çështjen e tyre, por bisedën e bënë fshehurazi (nga masa).
63 Ata pastaj (pas bisedës së fshehtë) thanë: "Këta të dy janë magjistarë, që me magjinë e tyre duan t´ju nxjerrin nga toka juaj dhe ta zhdukin drejtimin (ideologjinë) tuaj që pa dyshim është më i drejti".
64 Pra, (meqë janë magjistarë) ju vendosni seriozisht çështjen tuaj dhe dilni në shesh tok të bashkuar, e ai që triumfon sot, ai ka arritur suksesin.
65 Ata thanë: "O Musa, do të hedhësh ti apo ne po hedhim të parët?"
66 Ai (Musai) tha: "Jo, hidhni ju!" Kur ja, atij iu duk se nga ajo magji e tyre litarët dhe shkopinjtë lëviznin (si gjarpërinj).
67 E Musai ndjeu në vete njëfarë frike.
68 Ne i thamë atij: "Mos kr frikë, është më se e sigurt se ti do të jesh triumfues!"
69 Tani hidhe atë që e ke në dorën tënde të djathtë (shkopin), që t´i gëlltisë ato që i bënë ata, sepse ajo që bënë ata nuk është asgjë tjetër pos mashtrim magjistari, e magjistari nuk do të ketë sukses kudo qoftë.
70 Atëherë (kur shkopi i Musait i gëlltiti) magjistarët u hodhën në sexhde e thanë: "Ne i besuam Zotit të Harunit dhe të Musait!"
71 Ai (faraoni) tha: "A i besuat atij para se t´u japë unë leje? Ai (Musai) është prijës i juaj, i cili ua mësoi magjinë, unë do t´ua pres duart e këmbët tërthorazi e do t´u var në trungujt e hurmave, e atëherë ju do ta kuptoni se cili prej nesh ka dënim më
72 Ata thanë: "Pasha Atë që na krijoi, nuk të japim përparësi ty ndaj argumenteve që na erdhën, e ti bëje atë që mendon ta bësh, dhe mund ta zbatosh vetëm atë që i takon jetës së kësaj bote!"
73 Ne i besuam Zotit tonë që Ai të na i falë gabimet dhe magjinë, me të cilën ti na detyrove. All-llahu është më i miri (në të shpërblyerit) dhe më i përjetshmi (në të dënuar)!
74 Ai që i paraqitet Zotit të vet si kriminel, e ka xhehennemin, në të cilin as nuk vdes as nuk jeton.
75 Ndërsa ai që i paraqitet Atij besimtar e që ka bërë vepra të mira, të tillët i presin merita të larta.
76 (do ta presin) Xhennete të Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përjetë. Ky është shpërblimi i atij që është pastruar nga mosbesimi.
77 Ne i kumtuam Musait: "Udhëto natën me robtë e Mi, hapju atyre rrugë të terur në det, e mos ki frikë se do të zënë, a do të fundosesh".
78 Atyre iu vu prapa faraoni me ushtrinë e vet, po ata pësuan në det ashtu si pësuan.
79 Faraoni e humbi popullin e vet, e nuk e udhëzoi.
80 O bijt e israilit, Ne ju shpëtuam prej armikut tuaj, ua përcaktuam anën e djathtë të Turit (për shpalljen e Tevratit), ju furnizuam me rrëshirë (si mjalti) dhe me shkurtëza.
81 Hani nga të mirat që ua dhuruam, e mos u bëni përbuzës se do t´ju godasë hidhërimi Im, e atë që e zë hidhërimi Im, ai ka mbaruar.
82 Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqëndrohet për në rrugën e drejtë.
83 Po ty o Musa: "Ç´të nguti para popullit tënd?"
84 Ai u përgjigj: "Ja, ata jnë pranë meje, e unë u nguta te ti, o Zoti im, që të jeshë i kënaqur ndaj meje!"
85 Ai (All-llahu) Tha: "Ne e sprovuam popullin tënd pas teje, dhe ata i hodhi në humbje Samiriji!"
86 Musai u kthye te populli i vet i hidhëruar e i pikëlluar dhe tha: "O populli im, a nuk u premtoi juve Zoti juaj premtim të mirë, a mos u bë kohë e gjatë e ju e harruat premtimin, ose dëshiruat t´ju godasë hidhërimi nga Zoti juaj, andaj e thyet besën që ma
87 Ata thanë: "Ne nuk e thyem besën tënde me dëshirën tonë, por ne ishim ngarkuar me barrë të rënda nga stolitë e popullit e i hodhëm ato (në zjarr), e ashtu i hodhi edhe Samirija".
88 E ai (Samirija) ua mbaroi atyre një viç me trup që pëlliste, e ata thanë: "Ky është zoti juaj dhe Zoti i Musait, po ai (Musai) e ka harruar".
89 A nuk e kuptonin ata se ai (viç) as nuk u përgjigjej atyre, e as nuk kishte mundësi t´ju sillte ndonjë dobi a dëm.
90 E Haruni atyre u pat thënë më parë: "O populli im, ju vetëm u sprovuat me të, pse Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ejani pas meje dhe më dëgjoni për këtë që po ua thëm".
91 Ata i thanë: "Ne nuk do t´i ndahemi këtij (adhurimit të viçit) deri që të kthehet te ne Musai!"
92 Ai (Musai u kthye e) tha: "O Harun ç´të pengoi ty kur i pe se morën rrugën e gabuar,
93 E ti të mos u vazhdosh rrugën time? A mos e kundërshtove edhe ti porosinë time?"
94 Ai (Haruni) tha: "O bir i nënës sime, mos më kap as për mjekre as për flokë, se unë u frikësova se do të thuash: I përçave beni israilët dhe nuk e ke respektuar porosinë time?"
95 Ai (Musai) tha: "E çka ishte puna jote, o Samirij?"
96 Tha (Samirija): "Unë pashë atë që ata nuk e panë, e mora një grusht nga gjurma e të dërguarit (nga fërkemi i kalit të Xhibrilit) dhe ia hodha atij (viçit) dhe kështu më mashtroi vetvetja".
97 Ai (Musai) tha: "Prandaj largohu, sepse sa të jeshë gjallë ke për të thënë: (këdo që e sheh) "Mos m´u afro!" E ty të pret edhe një moment (dënim) i pathyeshëm. E ti tash shikoje zotin tënd që e adhurove bindshëm, e tani atë do ta djegim e do ta bëjmë shkr
98 I adhuruari juaj është vetëm All-llahu, që përveç Tij nuk ka zot tjetër, e dituria e Tij ka përfshirë çdo send.
99 Po kështu, Ne të rrëfejmë ty për disa nga ndodhitë që kanë kaluar më herët dhe nga ana jonë ta dhamë ty shpalljen plot përkujtime.
100 Kush i kthen shpinën kësaj (shpalljes - Kur´anit), ai do ta bartë në ditën e kijametit barrën më të rëndë.
101 Nën atë do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa barrë e keqe është për ta në ditën e kijametit.
102 Ditën kur i fryhet surit (bririt), atë ditë Ne i tubojmë mëkatarët symavijosur (të verbër, të shëmtuar).
103 E ata pëshpërisin mes vete: Nuk qëndruat (në Dunja) më shumë se nja dhjetë ditë.
104 Ne më së miri e dimë se çka flasin ata, e edhe atë kur më i mençuri prej tyre u tha: "Nuk qëndruat më shumë se një ditë!"
105 Ty të pyesin edhe për kodrat, thuaj: "Zoti im mund t´i bëjë thërrmija të shpërndara".
106 Dhe vendin e tyre ta bëjë rrafsh pa farë bime e ndërtese.
107 E nuk do të shohësh në të as ultësirë e as lartësirë.
108 Atë ditë ata do të shkojnë pas thirrësit, e nuk do t´i largohen atij, e para të Gjithëmëshirshmit ulen zërat e nuk dëgjohet tjetër pos një zë i ulët.
109 Atë ditë nuk bën dobi as ndërmjetësimi, përveç atij të cilin e ka lejuar i Gjithëmëshirshmi të ndërmjetësojë dhe për të cilin e pëlqeu ndërmjetësimin.
110 Ai i di ato që ishin para tyre dhe ato që vijnë pas, po dija e tyre nuk mund ta përfshijë atë.
111 E fytyrat (e mëkatarëve) e turpëruara, i përulen të Përjetshmit, të Gjithfuqishmit, sepse ka dështuar ai që barti padrejtësinë.
112 Kush është besimtar dhe bën vepra të mira, ai nuk i frikësohet ndonjë padrejtësie e as ndonjë mungese (në shpërblim).
113 Kështu Ne e shpallëm këtë Kur´an arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (Kur´ani) t´u sjellë atyre përvojë mësimi.
114 I lartë është All-llahu, Sundimtar i vërtetë. Ti mos nxito me Kur´anin para se të përfundojë shpallja e tij te ti, thuaj: "Zoti im, më shto dituri!"
115 Na i patëm urdhëruar edhe Ademit (të mos i afrohej pemës), po ai harroi, pra te ai nuk gjetëm vendosmëri.
116 Përkujto kur Ne u thamë engjëjve: "Bëni sexhde ndaj Ademit, ata i bënë, pos Iblisit, i cili nuk deshi".
117 E Ne i thamë: "O Adem, ky është armik yti dhe i bashkëshortes tënde, pra mos t´ju nxjerrë kurrsesi nga xhenneti, e t´ju vë në vështirësi (për të siguruar mjetet e jetesës)".
118 Ti aty (në xhennet) nuk ke për të qenë i uritur e as nuk ke për të mbetur i zhveshur.
119 Aty nuk ke për të pasur etje e as nuk do të keshë vapë.
120 Por, atë e ngacmoi djalli duke i thënë: "O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të pazhdukshëm!"
121 Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e ia nisën ta mbulojnë veten e tyre me gjethe që i mblidhnin nëpër xhennet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi.
122 Mandej Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë (të vendosur).
123 Ai (All-llahu) u tha: "Zbritni prej aty që të gjithë, do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse u vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)".
124 E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.
125 Ai (që nuk besoi) do të thotë: "Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?"
126 Ai (All-llahu) thotë: "Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t´i ofruam, ashtu je ti i harruar sot".
127 Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.
128 A nuk e kanë të qartë ata se sa breza para tyre i kemi zhdukur, e këta ecin nëpër ato vendbanime të tyre. Në gjurmët e atyre ka fakte për ata që kanë arsye të shëndoshë.
129 E sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, dënimi do t´i kapte ata.
130 Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe duke falënderuar Zotin tënd, falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, falu edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, ashtu që të gjesh kënaqësi (me shpërblim).
131 Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarë), e për t´i sprovuar me të, sepse shpërbimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.
132 Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet.
133 Ata thanë: "Përse nuk na solli ai ndonjë argument nga Zoti i vet? A nuk u erdhi atyre sqarim (në Kur´an) për atë që ishte në broshurat e mëparshme".
134 Dhe sikur t´i ndëshkonim ata me ndonjë dënim para tij (para se ta shpallim Kur´anin), ata do të thonin: "Zoti ynë, përse nuk na çove ndonjë të dërguar që t´iu përmbaheshim fakteve Tua para se të poshtëroheshim e të mjeroheshim".
135 Thuaj: "Secili është duke pritur, pra pritni edhe ju, se së shpejti do ta kuptoni se kush ishin ithtarët e rrugës së drejtë dhe e gjeti të vërtetën".