23

1 Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët:
2 ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit,
3 ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë),
4 dhe ata të cilët rregullisht e japin zeqatin,
5 dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime),
6 me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar,
7 e kush kërkon përtej tyre (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që kanë shkelë normat e caktuara,
8 dhe ata të cilët me kujdes i ruajnë ato që u janë besuar (sende ose fjalë), e ruajnë edhe premtimin e dhënë,
9 dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre.
10 Të tillët janë mu ata trashëgimtarët,
11 të cilët e trashëgojnë Firdevsin dhe aty ata janë përgjithmonë.
12 Për All-llahun, Ne e krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte.
13 Pastaj atë (ajkë - baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt.
14 Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është All-llahu, më i miri Krijues!
15 Mandej, pas kësaj (krijese) ju do të vdisni.
16 E në ditën e kijametit ringjalleni.
17 Ne krijuam mbi ju shtatë palë (qiej) dhe nuk jemi të pakujdesshëm ndaj asaj që krijuam.
18 Ne lëshuam me masë ujë nga qielli dhe atë e përqëndrojmë në tokë. Po Ne kemi mundësi edhe ta humbim atë (ujin).
19 Dhe me anën e tij Ne mundësuam për ju kopshte hurmash e rrushi, që në to keni shumë pemë dhe hani prej tyre.
20 Dhe (krijuam) trupa drunjsh që mbijnë në kodrën Sina e që japin vajëra dhe mëlmesa për ngrënësit.
21 Ju edhe nga kafshët keni një mësim, ngase ju freskojmë me lëng prej barqeve të tyre dhe keni shumë dobi prej tyre, e edhe prej tyre ushqeheni.
22 Dhe mbi to e mbi anije bartni (hipni).
23 Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i tij, e ai u tha: "O populli im, adhurojeni vetëm All-llahun, se nuk ka zot tjetër pos Tij; a nuk i frikësoheni (dënimit)?"
24 E paria e atij populli që nuk besuan thanë: "Ky nuk është tjetër pos njeri sikurse edhe ju, po dëshiron të jetë më i lartë se ju. Po të dëshironte All-llahu do të dërgonte engjëj; ne një gjë të tillë nuk e kemi dëgjuar as nga të parët tanë!"
25 Ai nuk është tjetër pos një njeri i sëmurë mentalisht, andaj pritni (kini durim) edhe për një kohë.
26 Ai (Nuhu) tha: "Zoti im, më ndihmo për atë që më përgënjeshtrojnë".
27 E Ne i shpallëm: "Ndërto anijen nën mbikëqyrjen Tonë dhe sipas urdhrit Tonë, e kur të vijë urdhri Ynë dhe të ashpërsohet gjendja, atëherë ti ngarko në të prej secilit lloj nga një çift (palë), e edhe familjen tënde, me përjashtim të atij ndaj të cilit ka
28 E kur të vendosesh ti dhe kush është me ty në anije, atëherë thuaj: "Falënderuar qoftë All-llahu, i cili na shpëtoi prej popullit të prishur!"
29 Dhe thuaj: "Zoti im, më zbarko në një vend të bekuar, e Ti je më i miri i atyre që bëjnë vendosjen!"
30 Nuk ka dyshim se në këto (ngjarje të popujve) ekzistojnë fakte bindëse. Në të vërtetë Ne i vëmë në sprovë.
31 Mandej pas tyre Ne sollëm popull tjetër.
32 Edhe atyre u dërguam pejgamber nga mesi i tyre (që u tha): "Adhuroni All-llahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij, a nuk frikësoheni!"
33 Edhe paria nga populli i tij e cila nuk besoi dhe e mohoi jetën tjetër dhe të cilëve Ne u patëm mundësuar rehati e begati në jetën e kësaj bote, thanë: "Ky nuk është tjetër pos njeri sikurse edhe ju, ha ashtu si hani ju dhe pi ashtu si pini ju!"
34 E nëse i përuleni një njeriu që është si ju, vërtet, atëherë do të jeni të humbur e të mashtruar.
35 Mos vallë ai po ju premton se pasi që të vdisni, të bëheni dhé e eshtra (të kalbur), do të nxirreni të gjallë?"
36 Sa larg e larg është sendërtimi i asaj që premtoheni.
37 Nuk ka tjetër, pos jetës sonë të kësaj bote, vdesim, lindim dhe ne nuk do të ngjallemi!
38 E ai (Hudi) nuk është tjetër pos njeri që trillon gënjeshtra ndaj All-llahut, po ne nuk i besojmë atij.
39 Ai (Hudi) tha "Zoti im, më ndihmo se ata po më përgënjeshtrojnë!"
40 E Ai (Zoti) tha: "Së shpejti do të dëshpërohen ata".
41 Atëherë me të drejtë ata i zuri ushtima (dënimi) dhe ashtu i bëmë sikur të ishin hedhurina (mbeturina). Larg qoftë prej mëshirës së Zotit populli zullumqarë.
42 Mandej pas tyre Ne sollëm brezni të reja.
43 Asnjë nga popujt (e shkatërruar) nuk mundi ta shpejtojë e as ta vonojë afatin e vet të caktuar.
44 Ne më pas i dërguam pejgamberët tanë një pas një, mirëpo çdoherë që një populli i erdhi i dërguari i vet, ata e përgënjeshtruan atë, prandaj Ne i përcollëm ata (me dënim) njërin pas tjetrit dhe i bëmë që të përmenden në tregime. I shkatërruar qoftë popull
45 Më pas Ne dërguam Musain dhe vëllain e tij Harunin me mrekulli dhe argumentet tona të qarta,
46 te faraoni dhe rrethi i tij, po ata u treguan kryelartë, sepse ishin popull mendjemadh.
47 Dhe thanë: "Si t´u besojmë dy njerëzve që janë si ne, kur populli i tyre është në shërbimin tonë?"
48 Kështu, ata i përgënjeshruan që të dy, andaj me të drejtë i shkatërruam.
49 Ne Musait i dhamë librin (pas shkatërrimit të faraonit) në mënyrë që ata (populli israilit) të gjejnë rrugën e drejtë.
50 Edhe të birin e Merjemes dhe nënën e tij i paraqitëm si argumente (mrekulli) dhe i vendosëm që të dy në një rrafshnaltë dhe me ujë rrjedhës.
51 (Ne u patëm thënë): "O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni.
52 Kjo feja juaj është e vetmja fé e Unë jam Zoti juaj, ruajuni dënimit Tim.
53 E ata më vonë u ndanë në grupe sipas çështjes së fesë dhe secili grup krenohej me atë që kishte përvetësuar për vete.
54 Andaj, ti (Muhammed) lëri ata edhe një kohë në atë mashtrimin e tyre.
55 A mos mendojnë ata se me atë që jemi duke u dhënë atyre nga pasuria dhe fëmijët,
56 nxitojmë t´ua ofrojmë atyre të mirat? Jo, kurrsesi, por ata nuk janë kah e kuptojnë.
57 Vërtet, ata të cilët ndaj madhërisë së Zotit të tyre kanë frikë,
58 ata, të cilët u besojnë argumenteve të Zotit të vet,
59 dhe ata, të cilët nuk i përshkruajnë shok Zotit të vet,
60 dhe,ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, pse dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara.
61 Të tillët janë duke nxituar drejt të mirave dhe të parët do t´i arrijnë ato.
62 Ne nuk e obligojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij dhe te Ne është libri (i shënimeve) që i shënon saktësisht (veprat) dhe atyre nuk u bëhet padrejt.
63 Por zemrat e tyre (mohuesve) janë të verbëruara nga ky (libër), e përveç kësaj, ata vazhdojnë të bëjnë vepra të këqija.
64 Ndërkaq, kur t´i kapim me dënim ata që kanë bërë jetë të shfrenuar, atëherë ata me britmë bëjnë lutje (duke kërkuar ndihmë).
65 Mos e ngreni zërin tash, se ju nuk keni ndihmën Tonë!
66 Sepse, juve u lexoheshin ajetet e Mia, e ju zbrapseshit.
67 Si arrogantë ndaj tij (ndaj Kur´anit, ose ndaj Qabes), e me fyerje kundër tij natën bisedoshit.
68 A nuk e menduan ata thellë fjalën (Kur´anin), apo mos u erdhi atyre diçka, që të parëve të tyre të lashtë nuk u pat ardhur,
69 apo mos nuk e njohin të dërguarin e vet (Muhammedin), prandaj ata e refuzojnë atë?
70 Apo mos thanë për të se është i çmendur? Jo, por ai ka ardhur me të vërtetën, e shumica e tyre e urrejnë të vërtetën.
71 E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to. E megjithate që Ne atyre u sollëm (me këtë Kur´an) famën e tyre, ata u zbrapsën ndaj përkujtimit të vet.
72 A mos u kërkon ti atyre ndonjë shpërblim? Po shpërblimi i Zotit tënd është më i miri, pse Ai është furnizuesi më i mirë.
73 Ç´është e vërteta, ti i fton ata në rrugë të drejtë.
74 Po ata që nuk e besojnë botën tjetër, i shmangen rrugës së drejtë.
75 Edhe sikur t´i mëshironim ata (idhujtarët) dhe t´ua kishim larguar fatkeqësitë, ata do të vazhdonin të zhyteshin në zhgënjimin e tyre.
76 Ne i sprovuam ata me dënim, po ata nuk iu përulën Zotit të tyre e as nuk iu drejtuan me lutje.
77 Derisa t´ua hapim një derë dënimin e ashpër, atëherë ata do të mbesin aty me shpresa të humbura.
78 Ai është që ua krijoi të dëgjuarit, të pamurit dhe të kuptuarit e juaj; sa pak jeni mirënjohës.
79 Dhe Ai është që ju krijoi në tokë dhe vetëm te Ai do të tuboheni.
80 Dhe Ai është që jep jetë dhe vdekje dhe vetëm Ai bën ndryshimin e natës e të ditës; si nuk e kuptoni?
81 Por ja, ata flasin, ashtu si flisnin ata para tyre.
82 Ata thanë: "Pasi të vdesim e të bëhemi dhé e eshtra të kalbur, a do të ringjallemi?
83 Kjo na është premtuar ne edhe prindërve tanë më parë, po kjo nuk është gjë tjetër pos një mit i lashtë!
84 Thuaj: "E kujt është toka dhe çdo gjë që ka në të, nëse jeni që e dini?"
85 Ata do të thonë: "E All-llahut". Atëherë thuaju: "Përse pra nuk mendoni?"
86 Thuaj: "Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të madh?"
87 Ata do të thonë: "All-llahu!". Thuaju: "E pse nuk frikësoheni pra?"
88 Thuaj: "Në dorën e kujt është i tërë pushteti i çdo sendi, dhe Ai është që mbron (kë të do), e që prej Atij nuk mund të ketë të mbrojtur; nëse jeni që e dini?"
89 Ata do të thonë: "Në dorë të All-llahut!" Thuaj: "E si mashtroheni pra?"
90 Por jo, Ne ua sollëm atyre të vërtetën, e megjithatë, ata jetojnë me gënjeshtra (duke adhuruar idhuj).
91 All-llahu nuk ka marrë për Vete kurrfarë fëmijë (as nga engjëjt, e as nga njerëzit), nuk ka me Të ndonjë zot tjetër, pse (sikur të kishte zot tjetër), atëherë secili zot do të veçohej me atë që ka krijuar, dhe do të dominonin njëri mbi tjetrin! I lartë, i
92 Ai e di të fshehtën e të dukshmen, Ai është larg atyre që ata ia shoqërojnë.
93 Thuaj: "Zoti im, po qe se patjetër do të më tregosh atë (dënim) që ua premtove atyre?
94 Zoti im, mos më fut pra, mua tek ai popull zullumqar!"
95 Në të vërtetë, Ne kemi fuqi të ta tregojmë ty atë që ua kemi premtuar atyre.
96 Ti të keqen kthe me më të mirën. Ne e dimë më së miri atë që shpifin ata.
97 Dhe thuaj: "O Zot i im, unë mbrohem me Ty prej cytjeve të djajve!"
98 Dhe mbështetem te Ti që ata të mos më afrohen!"
99 E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe,
100 që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.
101 E kur i fryhet surit (herën e dytë), atëherë, në atë ditë nuk do të ketë lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesë kush për njëri-tjetrin.
102 E kujt i peshojnë më rëndë peshojat (veprat e mira), ata janë të shpëtuarit.
103 Ndërsa, atyre që u peshojnë lehtë peshojat (veprat e mira), ata janë që humbën vetveten dhe janë në xhehennem përgjithmonë.
104 Zjarri do t´ua djegë atyre fytyrat dhe do të duken shumë të shëmtuar brenda tij.
105 (atyre u thuhet): A nuk u janë lexuar juve ajetet e Mia; e ju nuk i besuat ato?
106 Ata thonë: "O Zoti ynë, ne na patën mundur të këqijat (u dhamë pas epsheve të Dunjasë) dhe si të tillë ishim popull i humbur!
107 Zoti ynë, na nxjerr prej tij, e nëse gabojmë përsëri, atëherë vërtet jemi mizorë!"
108 Ai thotë: "Heshtni aty e mos më folni!"
109 Pse një grup prej robërve të Mi thanë: "O Zoti ynë, ne besuam, prandaj na falë dhe na mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!"
110 E ju i patët tallur ata, saqë ajo tallje bëri që të harronin përkujtimin ndaj Meje, madje edhe qeshnit me ta.
111 E Unë sot i shpërbleva ata, për atë që ishin të durueshëm ata janë fitimtarët.
112 Ai thotë: "E sa vjet keni kaluar në tokë?"
113 Ata thonë: "Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës, pyeti ata që dinë numërimin!"
114 Ai thotë: "Mirë e keni, sikur ta dishit, njëmend pak keni qëndruar!"
115 A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?
116 I lartë është All-llahu, Sunduesi i vërtetë, nuk ka zot tjetër pos Tij, Zot i Arshit bujar.
117 E kush adhuron me All-llahun edhe ndonjë zot tjetër, për të cilin nuk ka kurrfarë fakti, përgjegjësia e tij është para Zotit të vet, e mohuesit nuk do të shpëtojnë.
118 E ti thuaj: "O Zoti im, më fal e më mëshiro, se Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!"