37

1 Pasha të radhiturit (melaiket), që në rreshta (safa) qëndrojnë.
2 Dhe nxituesit, që me nxitim shtyjnë.
3 Dhe pasha lexuesit, që lexojnë përkujtimin.
4 Është e vërtetë se Zoti juaj është vetëm Një.
5 Zot i qiejve dhe i tokës e çka ka mes tyre dhe Zoti i lindjeve (të yjeve).
6 Vërtetë, Ne kemi stolisur qiellin më të afërt (të Dunjasë) me bukurinë e yjeve.
7 Dhe me mbrojtje prej çdo djalli të prishur.
8 Ashtu që nuk mund të përgjojnë parinë më të lartë (engjëjt më të zgjedhur), pse gjuhen me shkëndija nga të gjitha anët.
9 Ata janë të përzënë dhe do të kenë një dënim të përhershëm.
10 Përveç atij që rrëmben vrullshëm, po atë e ndjek ylli që e djeg.
11 Ti pra, pyeti ata (idhujtarët): a janë ata krijesë më e fortë, apo çka Ne krijuam. Ne i krijuam ata prej një balte që ngjitet.
12 Por ti je i habitur, e ata tallen.
13 E kur këshillohen, ata nuk marrin parasysh këshillën.
14 E kur shohin ndonjë mrekulli, ata nxitin në përqeshje.
15 Dhe thanë: "Ky (Kur´ani) nuk është tjetër vetëm se magji e kulluar.
16 A, pasi të vdesim ne, të bëhemi dhé e eshtra të kalbur a do të ringjallemi?
17 A edhe të parët tanë të hershëm?
18 Thuaj: "Po, madje ju do të jeni të nënçmuar!"
19 Ajo do të jetë vetëm një britmë, kur qe, ata të ngritur shikojnë.
20 E thonë: "O të mjerët ne, kjo është dita e gjykimit!"
21 Kjo është dita e ndasisë që ju e konsideruat rrenë.
22 Tuboni ata që ishin zullumqarë, shoqërinë e tyre dhe ata që i adhuruan.
23 (adhuruan) Pos All-llahut, orientoni rrugës së xhehimit!
24 Ndalni ata, sepse do të merren në përgjegjësi.
25 Çka keni që nuk ndihmoni njëri-tjetrin?
26 E ata sot janë dorëzuar në tërësi.
27 E kthehen e ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit.
28 (Të shtypurit) u thonë (atyre të parëve): "Ju ishit që na vinit neve nga ana e djathtë (na pengonit prej të vërtetës).
29 Ata (paria) u thonë: "Jo, ju vetë nuk ishit besimtarë.
30 Ne nuk kemi pasur ndonjë pushtet ndaj jush, por ju vetë ishit që nuk respektuat (porositë e Zotit).
31 E, ajo thënia (premtimi) e Zotit tonë u vërtetua kundër nesh, e s´ka dyshim se ne po e shijojmë (dënimin).
32 Ne u ofruam juve rrugën e humbjes, ashtu sikurse edhe vetë ishim të humbur".
33 Dhe atë ditë ata do të jenë në dënim të përbashkët.
34 Kështu Ne veprojmë me kriminelët.
35 Për arsye se kur u thuhej atyre: "Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut, ata e mbanin veten lart.
36 Dhe thoshin: "A do t´i braktisim ne zotat tanë për një poet të çmendur?"
37 Jo, (nuk është çka thonë ata) por ai ua solli të vërtetën dhe vërtetoi të dërguarit e parë.
38 Ju, patjetër do ta përjetoni dënimin më të ashpër.
39 Dhe nuk ndëshkoheni për tjetër, përveç për atë që vepruat.
40 Me përjashtim të robërve të All-llahut që ishin të sinqertë,
41 Të tillët janë ata që kanë furnizim të dalluar,
42 Pemë të llojllojshme, ata janë të nderuar,
43 Në xhennete të begatshme,
44 Të mbështetur në kolltukë me fytyrë nga njëri-tjetri,
45 Atyre u bëhet shërbim me gota (me verë) nga burimi,
46 E bardhë (vera), që ka shije për ata që e pinë,
47 Prej asaj nuk ka dhembje koke, e as që ata do të dehen nga ajo,
48 E pranë tyre janë (hyritë) symëdhatë me shikim të përulur,
49 Sikur ato të jenë inxhi e paprekur (dhe e ruajtur).
50 I qasen njëri-tjetrit e bisedojnë,
51 Prej tyre njëri flet e thotë: "Unë kam pasur njëfarë miku,
52 thoshte: "A je ti prej atyre që besojnë se
53 kur të jemi vdekur, të jemi bërë dhé e eshtra të kalbur, do të jemi të shpërblyer për vepra?"
54 Ai (besimtari në xhennet) thotë: "A vini ju të shikojmë?"
55 Ai shikon dhe e vëren atë (mikun) në mes të xhehennemit.
56 Ai thotë: "Pasha All-llahun, përpak më rrëzove (në xhehennem) edhe mua.
57 Dhe sikur të mos ishte dhuntia e Zotit tim, unë do të isha bashkë me ty në zjarr.
58 Dhe ne nuk do të vdesim më.
59 Përveç asaj vdekjes sonë të parë dhe ne nuk do të dënohemi më!"
60 Vërtet, ky është ai suksesi i madh,
61 për një shpërblim të këtillë le të veprojnë vepruesit.
62 A kjo pritje (me shpërblim të All-llahut) është më e mirë, apo pema e Zekumit?
63 Ne atë e kemi bërë sprovë për zullumqarët.
64 Ajo është një pemë që mbin në fund të xhehennemit.
65 Pema (fruti) e saj është sikurse koka dreqërish.
66 E ata do të hanë nga ajo dhe do të mbushin barqet prej saj.
67 Pastaj, ata do të kenë kundrejt atij ushqimi edhe ujë të valë.
68 Mandej kthimi i tyre është në xhehennem.
69 Ata i gjetën dhe shkuan pas prindërve të tyre të humbur.
70 Ata u ngutën dhe shkelën hapave të tyre (pa menduar).
71 Po, edhe para këtyre (popullit tënd) shumica e popujve të kaluar ishin të humbur.
72 Ne atyre u patëm dërguar pejgamberë.
73 E shif se si ishte përfundimi i atyre, të cilëve u qe tërhequr vërejtja.
74 Me përjashtim të robëve të All-llahut që ishin të sinqertë.
75 Për Zotin Neve na pat thirrur në ndihmë Nuhu, Ne jemi përgjegjës të mirë.
76 Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij prej asaj të keqe të madhe.
77 E pasardhësit e tij i bëmë ata që vazhduan jetën.
78 Dhe Ne ua lamë atë kujtim për njerëzit e ardhshëm.
79 Selam i qoftë Nuhut (prej All-llahut e prej krijesave) në mbarë botën (si kujtim ndaj tij).
80 Ne kështu i shpërblejmë të mirët.
81 Vërtet, ai ishte prej robërve tanë që janë besimtarë.
82 E pastaj i përmbytëm në një ujë të tjerët (që nuk besuan).
83 Edhe Ibrahimi ishte i grupit të tij.
84 Kur Zotit të vet iu bind me zemër të pastër.
85 Kur babait të vet dhe popullit të vet u tha: "Çka është ajo që ju adhuroni?"
86 A në vend të All-llahut doni zota të trilluar?
87 Çka është mendimi juaj ndaj Zotit të botëve?
88 Dhe atëherë u lëshoi një shikim yjeve,
89 e tha: "Unë jam i sëmurë!"
90 Ata u kthyen dhe u larguan prej tij.
91 Ai u drejtua kah zotat e tyre dhe u tha: "A nuk po hani ju?"
92 Çka keni pra, që nuk po flitni?
93 Iu afrua atyre ngadalë, duke u mëshuar me të djathtën (me fuqi).
94 Ata (populli) iu afruan atij me të shpejtë (sigurisht e qortuan).
95 Ai (Ibrahimi) tha: "A adhuroni atë që vetë e keni gdhendur?"
96 E All-llahu ju krijoi juve edhe atë që e punoni.
97 Ata thanë: "Ndërtojani atij një vend dhe hidheni atë në zjarr!
98 Ata i menduan atij një kurth, kurse Ne i mposhtëm ata të nënçmuar".
99 Ai tha: "Unë po shkoj aty ku më urdhëroi Zoti im, e Ai më udhëzon!"
100 Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve!
101 Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm).
102 Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: "O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?" Ai tha: "O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të
103 E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë në fytyrë (në ballë).
104 Ne e thirrëm atë: "O Ibrahim!"
105 Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!
106 Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë.
107 Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm.
108 Dhe ndaj tij Ne lamë përkujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm.
109 Selam (shpëtim e paqe) pastë Ibrahimi!
110 Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit.
111 Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë besimtarë.
112 Dhe Ne e gëzuam atë me (një djalë tjetër) Is´hakun, pejgamber prej të mirëve.
113 Dhe Ne i dhuruan bekim atij dhe Is´hakut e prej pasardhësve të atyre dyve do të ketë punëmirë e të ndershëm, e edhe dëmtues të hapët të vetvetes.
114 Pasha madhërinë Tonë, Ne u dhamë të mira Musait e Harunit.
115 I shpëtuam ata dhe popullin e tyre prej një mjerimi të madh.
116 Ne u ndihmuam atyre dhe ata ngadhënjyen.
117 Atyre dyve ua dhamë librin e përsosur e të qartë.
118 Dhe të dy ata i udhëzuam rrugës së drejtë.
119 Përkujtim të këndshëm ndaj të dyve kemi lënë në popujt e mëvonshëm.
120 (Përkujtimin) "Selamun" - qofshin të mëshiruar Musai dhe Haruni.
121 Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit.
122 Vërtet, ata të dy ishin besimtarë nga robërit Tanë.
123 Edhe Iljasi ishte prej të dërguarve Tanë.
124 Kur ai, popullit të vet i tha: "A nuk jeni kah frikësoheni?"
125 A e adhuroni "Ba´ël-in" (emër i një statuje) e braktisni adhurimin ndaj më të mirit që është Krijues?
126 All-llahun, Zotin tuaj e të prindërve tuaj të hershëm!!"
127 Ata e përgënjeshtruan, andaj ata medoemos janë të sjellë në xhehennem.
128 Me përjashtim të robërve besnikë ndaj All-llahut.
129 Edhe ndaj tij kemi lënë përkujtim të mirë në të ardhshmit.
130 "Selamun" - qoftë i mëshiruar Iljasi (ose edhe besimtarët e Iljasit).
131 Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit.
132 S´ka dyshim, ai ishte besimtar nga robërit Tanë.
133 Edhe Luti, pa mëdyshje ishte prej të dërguarve Tanë.
134 Kur Ne e shpëtuam atë dhe tërë familjen e tij bashkë.
135 Përveç një plake (grua e tij) që mbeti me të dënuarit.
136 Pastaj të tjerët i rrënuam.
137 E ju (mekas) me siguri kaloni atypari në mëngjes (ditën)
138 e në mbrëmje (natën). Pra, a nuk mblidhni mend?
139 Edhe Junusi ishte një nga të dërguarit Tanë.
140 Kur iku te anija që ishte e mbushur plot (udhëtarë).
141 E ai mori pjesë në short, po humbi (i ra shorti atij).
142 Dhe atë e kafshoi (e gëlltiti) peshku, zatën ai ishte që e meritoi qortimin.
143 E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin.
144 Ai do të mbetej në barkun e tij deri në ditën e ringjalljes.
145 E Ne e hodhëm në një tokë pa bimë (shkretëtirë), ndërsa ai ishte i sëmurë.
146 Dhe Ne bëmë që për të të mbijë një bimë (t´i bëjë hije) nga kungulli.
147 Ne (pastaj) e dërguam atë te njëqind mijë e më shumë.
148 E ata i besuan, e Ne ua vazhduam atyre të përjetojnë për deri në një kohë.
149 E ti (Muhammed) pyeti ata (idhujtarët): "A të Zotit tënd janë vajzat, kurse të tyre djemtë?"
150 Apo, Ne i krijuam engjëjt femra, e ata ishin dëshmitarë (kur Ne i krijuam engjëjt femra)?!
151 Vini re se si ata nga trillimet e tyre thonë:
152 "All-llahu ka lindë!" S´ka dyshim se ata janë gënjeshtarë (kur thonë se engjëjt janë bijat e Zotit).
153 A thua vajzat Ai i ka bërë më të zgjedhura se djemt?
154 Po ç´keni ju kështu, si po gjykoni ashtu?
155 A nuk jeni duke menduar?
156 A mos keni ju ndonjë argument të sigurt?
157 Silleni pra, librin tuaj, nëse është si thoni ju!
158 Ata (idhujtarët) pohuan mes Tij e mes engjëjve (xhinëve) lidhmëri farefisnore, po xhinët e dinë se ata (idhujtarët) janë të hedhur në zjarr.
159 All-llahu është i pastër nga ajo çka i përshkruajnë.
160 Ata (engjëjt) janë vetëm robër të sinqertë të Zotit (ata nuk i përshkruajnë gjë).
161 E, as ju dhe as ata që i adhuroni,
162 Nuk mund ta vini në sprovë askë ndaj Atij (besimit në Zotin),
163 Përveç atij që është i gjykuar për xhehennem.
164 E, nuk ka prej nesh (grupit të engjëjve) që nuk e ka vendin (detyrën, pozitën) e vet të njohur.
165 Edhe ne (engjëjt) jemi të rreshtuar (në adhurim),
166 Dhe ne jemi që i bëjmë tesbih (mohojmë se Ai ka të meta).
167 Po edhe pse ata ishin që thoshin:
168 Sikur të gjendej tek ne ndonjë libër nga të parët,
169 Ne do të ishim robër të All-llahut, të sinqertë.
170 Po (kur u erdhi libri), ata e mohuan atë (Kur´anin), e më vonë do të kuptojnë.
171 E tashmë fjala (premtimi) e jonë u është dhënë më parë robërve tanë të dërguar,
172 se ata, pa dyshim do të jenë të ndihmuar.
173 Dhe se ushtria jonë do të jenë ata ngadhënjyesit.
174 Prandaj, për një kohë, ti (Muhammed) hiqju tyre.
175 E ti vështroi ata se edhe ata do ta shohin (ndihmën tonë ndaj juve besimtarëve).
176 A mos po kërkojnë shpejtimin e ndëshkimit tonë?
177 E kur të vjen ai (dënimi) në territorin e tyre, mëngjes i shëmtuar do të jetë për ata që u ishte tërhequr vërejtja.
178 E ti largohu për një kohë prej tyre,
179 Dhe ti vështroi se edhe ata më vonë do të shohin.
180 I pastër e i lartë është Zoti yt, Zoti i gjithfuqishëm nga ajo që ata i përshkruajnë.
181 Çdo e mirë qoftë ndaj të dërguarëve.
182 Dhe falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të gjithësisë!