44

1 Ha, Mim.
2 Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)!
3 Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit). Ne dëshiruam t´u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm.
4 Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.
5 Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S´ka dyshim se Ne dërguam të dërguar.
6 (E zbritëm) Nga Mëshira e Zotit tënd; Ai është dëgjuesi, i dijshmi.
7 Zoti i qiejve e i tokës dhe çka ka ndërmjet tyre, nëse jeni të bindur.
8 Nuk ka Zot tjetër, vetëm Ai që jep jetë e vdekje, Zoti juaj dhe Zoti i prindërve tuaj të lashtë.
9 Por jo, ata (idhujtarët) janë në dyshim, janë duke luajtur.
10 Ti pra, prite ditën kur qielli sjell një tym konkret.
11 Ai (tymi) i përfshinë njerëzit. Ky është një ndëshkim i mundimshëm.
12 (Ata thonë) Zoti ynë, largoje prej nesh dënimin, ne do të besojmë.
13 Prej nga atyre ajo këshillë (ai mësim), kur atyre u pat ardhur pejgamber me argument (e nuk besuan)?
14 Po ia kthyen shpinën atij (pejgamberit) dhe i thanë: "I mësuar prej dikujt, i çmendur".
15 Ne do t´ua largojmë dënimin për pak kohë, por ju do t´i ktheheni kotësisë.
16 (Përkujto) Ditën kur do t´i kapim me atë rrëmbimin Tonë të fuqishëm e do t´u hakmerremi.
17 Ne përpara tyre e vumë në sprovë popullin e faraonit, dhe i pat ardhur i dërguar i ndershëm.
18 (U pat thënë): "Të m´i dorëzoni robërit e All-llahut, se unë jam i dërguar besnik te ju.
19 E mos bëni mendjemadhësi ndaj All-llahut, unë sjell argument të sigurt.
20 Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj nga (kërcënimi) që të më gurëzoni (të më mbytni).
21 E nëse nuk më besoni, atëherë m´u hiqni (më lini të lirë)!"
22 E thirri Zotin e vet: "Këta janë popull kriminel".
23 (Ne i thamë) Tërhiqu me robërit e Mi natën, se do të jeni të ndjekur.
24 Dhe lëre detin ashtu të qetë (të hapur), se ata janë ushtri që do të përmbytet.
25 Sa kopshte e kroje kanë lënë!
26 Edhe ara të mbjella e vende të bukura.
27 Dhe sa të mira që i kanë përjetuar.
28 Ja, ashtu atë ua lëmë në trashëgim një populli tjetër.
29 Për ta nuk qajtën as qielli e as toka dhe atyre nuk iu dha afat.
30 Ndërsa Ne i shpëtuam beni israilët prej vuajtjeve nënçmuese,
31 Prej faraonit. Vërtet ai ishte mizor i pakufishëm.
32 Ne i patëm zgjedhur ata (besimtarët beni israilitë) me vetëdije ndër njerëzit e asaj kohe.
33 Dhe u dhamë argumente (mrekulli) në të cilat patën përvojë të qartë.
34 E këta (populli yt) me siguri do të thonë:
35 "S´ka tjetër, vetëm ajo vdekja jonë e parë dhe ne nuk do të ringjallemi!"
36 Nëse jeni të vërtetë çka thoni (i thonë Muhammedit e besimtarëve), na sillni pra (në jetë) etërit tanë (të vdekur)!
37 A janë ata (idhujtarët) më të fortë, apo populli i Tubeit dhe ata që ishin përpara tyre. Ne ata i zhdukëm, sepse ishin kriminelë.
38 Ne nuk i krijuam qiejt e tokën dhe çka ka ndërmjet tyre pa një qëllim.
39 Por, Ne i krijuam të dyja me qëllim të caktuar, mirëpo shumica e tyre nuk dinë.
40 S´ka dyshim se dita e kijametit ku kryhet gjykimi, është caktim i të gjithë atyre.
41 Në atë ditë nuk bën dobi asgjë miku për mikun, e as nuk mund të ndihmohen.
42 Përjashtim bën ai që e mëshiron All-llahu, se Ai është ngadhënjyesi, i mëshirshmi.
43 Është e vërtetë se pema e Zekumit,
44 do të jetë ushqim i mëkatarëve.
45 Vlon si katrani (si pezhgveja) në barqet.
46 Ashtu si vlon uji i valë.
47 (U thuhet engjëjve për mëkatarin) Rrëmbejeni e graheni në mes të xhehennemit.
48 Dhe hudhni mbi kokën e tij ujin e valë e shtojani mundimin.
49 (I thuhet): Shijoje! Se ti je ai i forti, i autoritetshmi.
50 E ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit.
51 Vërtet, ata që i patën frikë Zotit, janë në vende të qeta.
52 Janë në xhennete e në burime që rrjedhin.
53 Veshin petka nga mëndafshi e kadifeja, ulur ballë për ballë.
54 Ja kështu, edhe i martojmë me bardhoshe symëdha (me hyri).
55 Aty kërkojnë t´u sillen çdo lloj peme dhe aty janë të sigurt.
56 Aty nuk do ta përjetojnë vdekjen, përveç asaj të parës në Dunja. Ata i shpëtoi (All-llahu) prej vuajtjeve të xhehennemit.
57 (Ato të mira) Janë dhuratë nga Zoti yt,e ai është shpëtim i madh.
58 Ne ua bëmë të lehtë atë (Kur´anin) në gjuhën tënde, ashtu që ata të marrin mësim.
59 (Meqë nuk po marrin mësim) Ti pra prit, se edhe ata janë duke pritur.