50

1 Kaf. Pasha Kur´anin e lavdishëm (do të ringjalleni).
2 Por jo, ata u çuditën që u erdhi i dërguari (qortues) nga mesi i tyre, andaj jobesimtarët thanë: "Kjo është diçka shumë e çuditshme.
3 A pasi të vdesim e të bëhemi dhé (do të kthehemi në jetë)? Ai kthim është larg (mendjes e mundësisë)!"
4 Ne dimë se ç´pakëson (ç´tret) toka prej tyre. Te Ne është edhe libri që ruan çdo gjë (numrin e tyre, emrat, pjesët e trupit).
5 Ata përgënjeshtruan të vërtetën kur ajo u erdhi dhe ata janë në gjendje të luhatshme.
6 A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli se si mbi ta kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti.
7 Edhe tokën se si e kemi shtrirë, e në të kemi vendosur kodra përforcuese dhe kemi bërë që në të të mbijnë gjithfarë bimësh të bukura.
8 (I bëmë ashtu) Dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (te Zoti).
9 Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe me të bëmë që të kultivohen kopshte e drithëra që korren.
10 Dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të paluara njëri mbi tjetrin.
11 Ushqim për njerëz, dhe me të, Ne e ngjallëm tokën e vdekur, e kështu do të jetë edhe ringjallja.
12 Para tyre përgënjeshtruan populli i Nuhut, banorët e Bunarit (të pusit) dhe Themudi.
13 Edhe Adi, edhe Faraoni dhe vëllezërit e Lutit.
14 Edhe banorët e Ejkes, populli i Tubbeit. Të gjithë i përgënjeshtruan të dërguarit, atëherë e merituan ndëshkimin Tim.
15 A mos u lodhëm Ne me krijimin e parë? Jo, por ata janë në një huti rreth një krijimi të ri.
16 Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç´pëshpërit ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij.
17 Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë.
18 Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.
19 Agonia e vdekjes i vjen me atë të vërtetën (i zbulohet çështja e Ahiretit); kjo është ajo prej së cilës ke ikur.
20 Dhe i fryhet surit, e ajo është dita e premtuar (për dënim).
21 E do të vijë secili njeri e bashkë me të edhe grahësi edhe dëshmitari.
22 (I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e Ne ta hoqëm perden tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë.
23 E shoku (përcjellësi) i tij do të thotë: "Kjo që është tek unë (regjistri i veprave) është gati.
24 Ju të dy (engjëjt) hidheni në xhehennem secilin mohues kryeneç.
25 Secilin pengues të veprave, mizor e të dyshimtë në fé.
26 I cili All-llahut i shoqëroi zot tjetër, pra hidheni atë në vuajtjet më të rënda".
27 E shoku i tij (djalli) thotë: "Zoti ynë, unë nuk u shmanga prej rrugës së drejtë, por ai vetë ka qenë i humbur larg".
28 Ai (All-llahu) thotë: "Mos u grindni tash para Meje, se Unë më parë ju tërhoqa vërejtjen.
29 Tek Unë nuk ndryshon fjala (vendimi) dhe Unë nuk jam zullumqar për robërit".
30 (Përkujto) Ditën kur Ne xhehennemit i themi: "A je mbushur?" E ai thotë: "A ka ende?"
31 Ndërsa besimtarëve të ruajtur xhenneti u afrohet krejt afër.
32 Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë.
33 Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer te Ai me zemër të sinqertë.
34 (U thuhet) Hyni në të të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme.
35 Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë.
36 E sa e sa brezni para ty i kemi shkatërruar e që ishin shumë më të fortë e më të shkathët se këta (idhujtarët kurejshitë). Ata brodhën andej e këndej nëpër tokë (për t´i ikur vdekjes). Por, a mos gjetën rrugëdalje?
37 Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje, ka argumente.
38 Ne krijuam qiejt e tokën dhe gjithë çka ka ndërmjet tyre brenda gjashtë ditësh dhe Ne nuk ndiem lodhje.
39 Po ti (Muhammed) me durim përballo atë që ata të thonë, para lindjes së diellit dhe para perëndimit madhëro me falënderim Zotin tënd.
40 Falu për hir të Tij edhe në një pjesë të natës edhe pas sexhdes (pas namazit farz).
41 Dhe vëni veshin thirrësit kur thërret nga ndonjë vend i afërt.
42 Ditën kur e dëgjojnë thirrjen për të vërtetën (ringjalljen), e ajo është dita e daljes (prej varrezave).
43 S´ka dyshim se Ne japim vdekje dhe vetëm te Ne është kthimi i tyre.
44 Ditën kur me ata hapet toka e ata nguten (për vendtubim), e ai është një tubim i lehtë për Ne.
45 Ne dimë më së miri çka thonë ata, e ti ndaj tyre nuk je ndonjë dhunues, ti këshilloje me këtë Kur´an atë që i ka frikë kërcënimit Tim.