52

1 Pasha Turin.
2 Dhe librin e shkruar në rreshta.
3 Në lëkurë të shtrirë.
4 Pasha shtëpinë (Qaben) e vizituar (ose Bejti Mamurin në qiell).
5 Pasha kulmin e ngritur (qiellin).
6 Pasha detin e mbushur (ose detin e ndezur flakë në kijamet).
7 Është e vërtetë se dënimi i Zotit tënd patjetër do të ndodhë.
8 Atë nuk ka kush që mund ta largojë.
9 Ditën kur qielli bën një tronditje të fortë.
10 Dhe kodrat të shkulen nga vendi e të ecin.
11 Atë ditë është mjerim i madh për përgënjeshtarët.
12 Të cilët luajnë të zhytur në besime të kota.
13 Ditën kur me rrëmbim shtyhen në zjarrin e xhehennemit.
14 Ky është ai zjarr, që ju e keni përgënjeshtruar.
15 A mos është kjo ndonjë magji, apo ju nuk po shihni (jeni verbëruar siç u verbëruat nga e vërteta në Dunja).
16 Hyni në të! Për juve është njësoj, bëtë durim ose nuk bëtë. Shpërbleheni vetëm me atë që me veprat tuaja e merituat.
17 Ata të devotshmit janë në kopshte e në begati.
18 Të kënaqur me atë që ua dha Zoti i tyre dhe që i ruajti Zoti i tyre nga vuajtja e xhehennemit.
19 (U thuhet) Me të mirë hani e pini, për atë që vepruat mirë.
20 Ata janë të mbështetur në kolltukë të renditur dhe Ne u shoqëruam atyre hyri symëdha.
21 E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t´ua shoqërojmë pasardhësit e tyre dhe asgjë nuk u pakësojmë nga veprat e tyre (prindërve). Secili njeri është peng i asaj që ka punuar.
22 Ne atyre ua shtojmë të mirat me pemë e me mish që ata e dëshirojnë.
23 Aty njëri-tjetrit ia zgjasin gotën, aty nuk ka fjalë të kota e as mëkat.
24 Në mesin e tyre qarkullojnë shërbëtoret si të ishin margaritarë të ruajtur.
25 Dhe njëri-tjetrit i qasen duke u pyetur (për punët e tyre në Dunja).
26 (Këta) Thonë: "Ne edhe kur ishim në familjet tona, ishim ata që frikësoheshim.
27 E All-llahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit.
28 Ne më parë ishim ndër ata që e lutëm Atë, e Ai është bamirës, mëshirues".
29 Pra ti përkujto (me Kur´an) se me dhuntinë e Zotit tënd ti nuk je as falltor, as i çmendur.
30 E ata thonë: "Ai është poet, po presim kohën ta zhdukë".
31 Thuaj: "Pritni, se edhe unë do të pres me ju".
32 A mendjet (iluzionet) e tyre po u urdhërojnë për këtë, apo ata janë popull renegat?
33 A mos ata thonë: "Ai (Muhammedi) e trilloi!" Jo, por ata nuk besojnë.
34 Pra, nëse ata janë të drejtë le ta sjellin një ligjërim si ai.
35 A mos u krijuam prej kurrgjësë, apo ata vetë janë krijues?
36 A mos ata i krijuan qiejt e tokën, jo, por ata nuk janë të bindur.
37 A mos te ata janë depot e Zotit tënd, apo ata i mbizotërojnë?
38 A mos kanë ata shkallë të larta që në to të përgjojnë? Pra, përgjuesit e tyre le të sjellin fakt të sigurt!
39 A mos vajzat janë të Atij, kurse djemtë tuaj?
40 A mos ti u kërkon atyre shpërblim, e ata janë të ngarkuar nga tagri?
41 A mos te ata janë fshehtësitë, e ata i shkruajnë?
42 A mos po të kurdisin ndonjë kurth, po ata që nuk besuan bijnë vetë në kurth.
43 A mos kanë ata ndonjë zot pos All-llahut? I lartë është All-llahu nga ai që ata i shoqërojnë.
44 Edhe sikur ta shihnin që u bie nga qielli ndonjë copë, ata do të thoshin: "Është re e dendur!"
45 Po ti lëri ata derisa të ballafaqohen në ditën e tyre, kur do të shtangen.
46 Ditën kur dredhia e tyre nuk do t´u bëjë dobi asgjë e as që do të ndihmohen.
47 Është e vërtetë se ata që bënë zullum, kanë një dënim më të afërt se sa ai (i kijametit), por pjesa dërrmuese e tyre nuk e dinë.
48 Ti bën durim në vendimin e Zotit tënd, se ti je nën mbikëqyrjen Tonë dhe kur të ngrihesh madhëroje me falënderim Zotin tënd!
49 Edhe gjatë natës adhuroje Atë, si dhe kur yjet nuk duken më.