80

1 Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye.
2 Ngase atij i erdhi i verbëri.
3 E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet.
4 Apo do të këshillohet dhe këshilla do t´i bëjë dobi!
5 E ai që nuk ndien nevojë (për Zotin) pse ka pasuri,
6 Ti atij i vë veshin (i drejtohesh)!
7 Po ti nuk ke përgjegjësi, pse ai nuk pastrohet.
8 Ndërsa ai që nxiton dhe vjen te ti,
9 Dhe meqë ai frikësohet,
10 E ti nuk e zë asgjë (dhe nuk ia vë veshin fjalës së tij),
11 Jo ashtu! Në të vërtetë këto janë këshilla.
12 Kush do të merrë mësim nga kjo (nga Kur´ani).
13 Është këshillë në fletë të çmueshme.
14 Me vlerë të lartë e të ruajtur.
15 Në duar të udhëtuesve (engjëjve udhëtues mes All-llahut e njerëzve).
16 Të nderuar e të ruajtur.
17 Qoftë mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është ai!
18 Po prej çkafi e krijoi Ai atë?
19 Atë e krijoi prej një pike uji dhe e përgatiti.
20 Pastaj atij ia lehtësoi rrugën.
21 Mandej atë e bëri të vdesë dhe atij i bëri varr (të varroset).
22 Pastaj kur të dojë Ai e ringjallë atë.
23 Jo! Ai nuk zbatoi atë që urdhëroi Ai.
24 Njeriu le të shikoje ushqimin e vet.
25 Ne lëshuam shi të mjaftueshëm.
26 Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës,
27 Dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra
28 Edhe rrush e perime,
29 Edhe ullinj e hurma,
30 Edhe kopshte të dendura,
31 Dhe pemë e kullosa.
32 Si mjete gjallërimi për ju dhe për bagëtinë tuaj.
33 E kur të vijë ushtima (krisma e kijametit);
34 Atë ditë njeriu ikën prej vëllait të vet,
35 Prej nënës dhe prej babait të vet,
36 Prej gruas dhe prej fëmijëve të vet.
37 Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet.
38 Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura,
39 Të buzëqeshura e të gëzuara.
40 Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhëruara,
41 Që i ka mbuluar errësira e zezë,
42 E të tillët janë ata mohuesit, mëkatarët.