45

1 Ha, Mim.
2 Zbritja e librit është prej All-llahut, të gjithëfuqishmit, të urtit.
3 Për besimtarët ekzistojnë argumentet në qiej dhe në tokë.
4 Për një popull që sinqerisht është bindur, ka argumente edhe në krijimin tuaj edhe në krijimin e shtazëve të përhapura.
5 Edhe në ndërrimin e natës e të ditës, në atë furnizim që All-llahu e lëshon prej qiellit dhe me te, pasi të ketë vdekur e ngjall tokën; edhe në qarkullimin e erërave për një popull që logjikon ka argumente.
6 Këto janë fakte të All-llahut që po t´i lexojmë ty në mënyrë të saktë; cilës fjalë pra, pos fjalës së All-llahut dhe argumenteve të Tij, ata i besojnë?
7 Çdo gënjeshtar e shumë mëkatar është i shkatërruar.
8 Që i dëgjon ajetet e All-llahut, të cilat lexohen, e pastaj vazhdon prapë si mendjemadh, sikur nuk i ka dëgjuar ato. Atë lajmëroje për një vuajtje të dhembshme.
9 Edhe kur të mësojnë diçka prej ajeteve Tona, ai i merr ato për tallje. Për të tillët pason një dënim shtypës.
10 Përpara tyre e kanë xhehennemin (që i pret) dhe nuk do t´u bëjë dobi asgjë ajo që kanë fituar, e as ndihmësit që i adhuruan, pos All-llahut. Ata do të përjetojnë një dënim të madh.
11 Ky (Kur´ani) është një udhërrëfyesë i plotë, e ata që nuk i pranuan ajetet e Zotit të tyre, i pret një dënim më i mundimshëm.
12 All-llahu është Ai, që për ju e nënshtroi detin që me lejen e Tij të lundrojnë anijet nëpër të, që të kërkoni begatitë e tij; ndaj, falënderone.
13 Dhe për ju nënshtroi gjithë ç´ka në qie dhe ç´ka në tokë, njëmend për njerëzit që mendojnë thellë, në to ekzistojnë argumente.
14 Thuaju atyre që besuan: Le t´ua falin atyre që nuk presin ndëshkimet e All-llahut (pse nuk besojnë), ashtu që Ai vetë ta dënojë një popull për shkak të veprave që bëjnë.
15 Kush bën vepra të mira, bën për vete, e kush bën keq, bën kundër vetes, pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.
16 Ne u patëm dhënë beni israilëve librin dhe pejgamberllëkun dhe aftësi për të gjykuar midis njerëzve, i patëm furnizuar ata me të mira dhe i patëm dalluar nga njerëzit e tjerë.
17 U patëm dhënë edhe fakte të qarta për çështjen e fesë. Mirëpo, për shkak të zilisë që kishin ndërmjet vete, ata u përçanë vetëm atëherë kur u erdhi dija që ta kuptojnë, e s´ka dyshim se Zoti yt në ditën e kijametit do të gjykojë në mes tyre për shkaqet e
18 Pastaj, Ne të vumë ty në një rrugë të drejtë të fesë, pra ti ndiqe atë e mos ndiq dëshirat e atyre që nuk dinë.
19 Ata nuk mund të mbrojnë ty për asgjë te All-llahu. Zullumqarët janë miq të njëri-tjetrit, kurse All-llahu është mbrojtës i besimtarëve të devotshëm.
20 Ky (Kur´ani) është dritë e dijes për njerëz, është udhëzues e mëshirë për një popull që beson bindshëm.
21 A menduan ata, të cilët vepruan në të këqija, se në jetën e tyre dhe në vdekjen e tyre do t´i bëjmë të barabartë me ata që besuan dhe bënë vepra të mira? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre?
22 All-llahu krijoi edhe qiejt edhe tokën me një drejtësi precize, e për t´u shpërblyer secili njeri me veprat e veta, atyre nuk u bëhet e padrejtë.
23 A e ke parë ti (Muhammed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të vetin, atë All-llahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij, më thuaj, pos All-llahut, kush mund ta udhëzojë atë? A n
24 Ata edhe thanë: "Nuk ka tjetër, vetëm se kjo jetë jona në këtë botë, po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër pos kohës. Ata për këtë nuk dinë asgjë, ata vetëm fantazojnë.
25 E kur atyre u lexohen ajetet Tona të qarta, ata nuk kanë fakt tjetër, pos të thonë: "Nëse jeni të saktë, na sillni të gjallë prindërit tanë!"
26 Thuaj: "All-llahu juve ju jep jetën dhe ju bën të vdisni (e jo koha); mandej, do t´ju tubojë në ditën e gjykimit për të cilën nuk ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk dinë (për fuqinë e Zotit)".
27 Sundimi i qiejve e i tokës është vetëm i All-llahut, e ditën kur ndodh kijameti, atë ditë mohuesit dëshpërohen.
28 Dhe (atë ditë) e sheh secilin popull të gjunjëzuar, secili popull thirret te libri i vet (shënimet e veprave). (U thuhet): "Sot shpërbleheni me atë që e keni vepruar".
29 Ky është libri ynë (shënimet e veprave tuaja) që dëshmon të vërtetën (të saktën), Ne kemi kërkuar të shkruhet se ç´vepronit.
30 Sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, Zoti i tyre i merr ata në mëshirën e vet (në xhennet), e ai është shpëtim i madh.
31 E, sa u përket atyre që nuk besuan (u thuhet): "A nuk ju patën lexuar argumentet e Mia; e ju bëtë mendjemadhësi dhe ishit popull i zhytur në mëkate!"
32 Edhe kur u thuhej se premtimi i All-llahut është i saktë dhe se do të vijë kijameti për të cilin s´ka dyshim, ju thatë: "Ne nuk dimë se ç´është kijameti, ne me dyshim menduam për te dhe ne nuk jemi të bindur!"
33 Dhe u dalin në shesh të këqijat që i kanë punuar, dhe i përfshirë ajo me të cilën talleshin.
34 E u thuhet: "Sot po u lëmë të harruar, ashtu sikurse ju e harruat takimin e kësaj dite, vendi juaj është zjarri, për ju nuk ka ndihmëtarë".
35 Këtë (dënim) për shkak, se ju u tallët me ajetet e All-llahut, juve ju mashtroi jeta e Dunjasë. Sot pra, nuk do të nxirreni prej tij (zjarrit), e as nuk kërkohet që ata t´i kthehen pendimit dhe respektit të All-llahut.
36 Pra, falënderimi i qoftë vetëm All-llahut, Zotit të qiejve, Zotit të tokës, Zotit të gjithësisë!
37 Vetëm Atij i takon lartmadhëria në qiej e në tokë dhe Ai është ngadhënjyesi, më i urti.